Pas arritjes së marrëveshjes SHBA-Ukrainë, Zelensky: Amerikanët u pajtuan me propozimet tona

Evropë

Pas arritjes së marrëveshjes SHBA-Ukrainë, Zelensky: Amerikanët u pajtuan me propozimet tona

Më: 11 mars 2025 Në ora: 20:04
Volodymyr Zelensky

Lideri ukrainas ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase në Jeddah të Arabisës Saudite.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump për konstruktivitetin e treguar të grupeve të tyre të punës.

Sipas udhëheqësit ukrainas, pala amerikane ka kuptuar argumentet e Ukrainës dhe ka pranuar propozimet e saj, shkruan skynews.

Në një deklaratë të fundit, ai ka njoftuar se ka pasur një propozim nga ana amerikane për të marrë hapa të menjëhershëm drejt vendosjes së një armëpushimi të plotë për një periudhë 30-ditore.

Ky armëpushim do të përfshinte ndalimin e përdorimit të raketave, dronëve dhe bombave, jo vetëm në Detin e Zi, por edhe përgjatë tërë vijës së frontit.

Në përfundim, Zelensky theksoi se tani është detyrë e SHBA-ve të bindin Rusinë të pranojë këtë armëpushim të propozuar, një hap i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ndryshe, shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të heqin menjëherë pezullimin e ndarjes së informacioneve të inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”.

Kështu kanë konfirmuar zyrtarët amerikanë dhe ukrainas në një deklaratë të përbashkët lidhur me takimin e tyre në Jedda, Arabinë Saudite.

Kievi gjithashtu “shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve dhe që varet nga pranimi dhe zbatimi i njëkohshëm nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes”, vijon deklarata.

Të dyja vendet kanë thënë gjithashtu se kanë rënë dakord të përfundojnë një marrëveshje për zhvillimin e burimeve kritike minerale të Ukrainës.

Palët kanë rënë dakord gjithashtu të caktojnë ekipet e tyre negociuese dhe të nisin menjëherë bisedimet drejt një paqeje të qëndrueshme që garanton sigurinë afatgjate të Ukrainës.

Ndryshe, palët janë takuar për më shumë se tetë orë të martën në qytetin port të Arabisë Saudite.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat