44-vjeçari kërcënon me thikë, evakuohet ICE me 340 pasagjerë drejt Berlinit

Evropë

44-vjeçari kërcënon me thikë, evakuohet ICE me 340 pasagjerë drejt Berlinit

Më: 11 mars 2025 Në ora: 20:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Një tren ICE nga Köln në Berlin është ndalur dhe evakuuar pasi një burrë ka kërcënuar me thikë.

Sipas gjermanes, Focus, pasagjeri ka thënë gjatë udhëtimit se kishte një thikë dhe një objekt tjetër të rrezikshëm me vete.

Madje sipas një njoftimi nga Policia Federale, 44-vjeçari është i njohur për autoritetet.

Për shkak të kërcënimit, një tren i Deutsche Bahn është ndaluar dhe evakuuar në Gifhorn, në Landin e Saksonisë së Poshtme.

Autoritetet njoftuan po ashtu se pasagjeri nuk ishte i panjohur, pasi vetëm një ditë më parë ai kishte ofenduar dhe kërcënuar me dhunë stafin e trenit të një ICE tjetër në stacionin kryesor të Hanoverit, për shkak se nuk e lejuan të merrte me vete biçikletën.

Policia Federale nisi procedime për ofendim dhe kërcënim, dhe tani ka nisur një hetim të ri për prishjen e rendit publik përmes kërcënimit të kryerjes së krimeve.

Forcat e policisë federale e arrestuan fillimisht 44-vjeçarin.

Për shkak të situatës së rrezikshme, treni ICE 541, është evakuuar.

340 pasagjerët u nisën me transport publik për në Wolfsburg.

Disa oficerë, përfshirë dy udhëheqës të qenve shërbimi, kontrolluan trenin dhe dhanë më pas një njoftim për qetësimin e situatës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat