Bashkimi Evropian mirëpret propozimin për një marrëveshje armëpushimi dhe rinisjen e ndihmës ushtarake dhe ndarjes së inteligjencës nga SHBA për Ukrainën, thanë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Ky është një zhvillim pozitiv që mund të jetë një hap drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
Dyshja shtuan se BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj në negociatat e ardhshme për paqen.
“Tani topi është në fushën e Rusisë”, theksuan zyrtarët evropianë.
Ndërkohë, kryeministri britanik, Sir Keir Starmer lavdëroi “përparimin e jashtëzakonshëm” midis Kievit dhe Uashingtonit, “tani të gjithë duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur”.
Edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, reagoi duke deklaruar se “duket se amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes. Dhe Evropa është e gatshme të ndihmojë për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të heqin menjëherë pezullimin e ndarjes së informacioneve të inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”, shkruan skynews.
Kështu kanë konfirmuar zyrtarët amerikanë dhe ukrainas në një deklaratë të përbashkët lidhur me takimin e tyre në Jedda, Arabinë Saudite.
Kievi gjithashtu “shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve dhe që varet nga pranimi dhe zbatimi i njëkohshëm nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratë.
Palët janë takuar për më shumë se tetë orë të martën në qytetin port të Arabisë Saudite.