Takim i rrallë dhe i paprecedentë në Paris – takohen ushtarakë të lartë të botës, pa praninë e amerikanëve

Evropë

Takim i rrallë dhe i paprecedentë në Paris – takohen ushtarakë të lartë të botës, pa praninë e amerikanëve

Më: 11 mars 2025 Në ora: 22:13
Takohen ushtarakë të lartë të botës, pa praninë e amerikanëve

Mbi 30 zyrtarë të lartë ushtarakë u takuan sot në Paris pa kolegët e tyre amerikanë, në përpjekje për të marrë përgjegjësinë për luftën në Ukrainë, për shkak të paparashikueshmërisë së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe afrimit të tij me Moskën.

Takimi me dyer të mbyllura, i cili mblodhi 34 zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë NATO-n, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Japoninë dhe Australinë, ishte një mbledhje e rrallë dhe ndoshta e paprecedentë pa SHBA-në.

Pjesëmarrësit diskutuan opsionet dhe kapacitetet për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën në rast të një marrëveshjeje armëpushimi, përfshirë mundësinë e forcave paqeruajtëse evropiane, si dhe ruajtjen e fuqisë ushtarake afatgjatë të Ukrainës.

“Mesazhi politik është se ne mund ta bëjmë këtë së bashku dhe pa SHBA-në, por është e qartë se ka gjëra që nuk mund t’i bëjmë. Problemi me Rusinë është se duhet të kemi aftësinë për ta penguar atë”, tha një diplomat evropian që mori pjesë në bisedime, duke shtuar se takimi kishte të bënte me planifikimin paraprak, shkruan reuters.

Një zyrtar ushtarak tha se SHBA-ja nuk ishte ftuar, si një sinjal se Evropa dhe partnerët e tjerë mund të marrin përgjegjësinë, duke pasur parasysh distancimin e Trumpit nga aleatët.

Zyrtarët theksuan se pjesëmarrja e vendeve si Japonia dhe Australia, të cilat gjithashtu përballen me pasiguri në marrëdhëniet me administratën e re amerikane, tregon një shqetësim më të thellë midis aleatëve tradicionalë të SHBA-së.

Ndryshe, Trump po ushtron presion të madh mbi Ukrainën për të arritur një marrëveshje paqeje. Ai ka mbështetur, madje edhe para fillimit të negociatave, shumë nga kërkesat ruse, si pengimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Para takimit, ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, theksoi rëndësinë e një ushtrie të fortë ukrainase për garancitë e sigurisë.

“Çmilitarizimi është një nga kërkesat e pakta ruse për të cilën Trump nuk këmbëngul”, tha një zyrtar i lartë evropian, duke shtuar se Evropa dëshiron që kjo të mbetet kështu.

“Prioriteti është të mendojmë se si duhet të jetë ushtria ukrainase në të ardhmen, bazuar në parimin se ushtria ukrainase është garancia kryesore e sigurisë”, tha Lecornu në një konferencë sigurie në Paris dhe shtoi se “ne do të refuzojmë çdo formë të çmilitarizimit të Ukrainës”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat