Austri/ Pezullohet bashkimi familjar në ligjin për azilin, pritet votimi në Këshillin Kombëtar

Evropë

Austri/ Pezullohet bashkimi familjar në ligjin për azilin, pritet votimi në Këshillin Kombëtar

Më: 13 mars 2025 Në ora: 12:00
Austri

Së shpejti azilkërkuesit në Austri nuk do të kenë më të drejtë të tërheqin pjesëtarët e afërt të familjes. Kjo u vendos nga tri partitë e koalicionit të ri qeverisës në Vjenë.

Qeveria në Austri, ashtu sikurse kishte deklaruar, ka vendosur tani të ndërpresë bashkimin e familjes për ata që kanë të drejtë azili në këtë vend. Kabineti qeveritar në Vjenë ra dakord për këtë ndryshim në ligjin e azilit. Kjo masë sa më shpejt të jetë e mundur duhet të votohet në Këshillin Kombëtar, të miratohet në parlament dhe do të jetë e përkohshme, bëhet e ditur nga zyra e kancelarit.

Kancelari Christian Stocker i partisë popullore konservatore (ÖVP) e argumentoi këtë hap, me tejkalimin e kapaciteteve pranuese të Austrisë – veçanërisht në sektorin e arsimit ka mbingarkesë. Në vitet 2023 dhe 2024 në kuadrin e bashkimit familjar në Austri kanë hyrë gjithsej 18.000 persona, ndër ta 13.000 minorenë në moshë të detyrimit shkollor, tha Stocker. Në sfondin e këtyre shifrave, është e kuptueshme, “që ne duhet të veprojmë konform përgjegjësisë sonë dhe të vendosim frenat për një periudhë të caktuar”, tha kancelari. Austria ka rreth 9,2 milionë banorë.

Shkelje ndaj së drejtës europiane?

Kjo nismë është ligjërisht e diskutueshme. Kritikët konsiderojnë, se ajo përbën shkelje ndaj së drejtës së azilit sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Koalicioni i ri qeverisës në Austri i përbërë nga konsrvatorët (ÖVP), socialdemokratët (SPÖ) dhe liberalët NEOS i referohet klauzolës së emergjencës në legjislacionin e BE-së. Kjo klauzolë parashikon, që në rast të kërcënimit të rendit publik dhe sigurisë së brendshme të një vendi anëtar nuk vlen më prioriteti i së drejtës europiane kundrejt ligjit kombëtar të vendit anëtar.

Javën e kaluar ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner u angazhua në nivelin e BE-së për pezullimin e bashkimit familjar për azilkërkuesit. Në një shkresë drejtuar Komisionit të BE-së ministri i ÖVP argumenton, se sektorët e strehimit, shëndetësisë dhe arsimit në Austri janë të mbringarkuar. Ai iu referua kriminalitetit ndër të rinjtë.

Tani tha ministri i Brendshëm, edhe nëse prej rreth një viti numri i bashkimeve të familjes ka rënë ndjeshëm edhe për shkak të kontrolleve dhe krahasimeve të ADN-së kjo tendencë duhet siguruar në mënyrë të qendrueshme. Në shkurt 2024 sipas të dhënave të rreth 1000 persona u regjistruan si të afërm familjeje që kanë hyrë në vend, në shkurt 2025 shifra ishte vetëm 60.

Sekretari i Punëve të Brendshme Jörg Leichtfried nga socialdemokratët bëri të qartë, se qëllimi i përbashkët i qeverisë austriake është, që të ulet në zero migracioni i parregullt. Kjo nuk ndryshon asgjë sa i përket së drejtës së azilit./DW

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat