Nis protesta masive në Beograd - Reagon edhe Vuçiqi

Evropë

Nis protesta masive në Beograd - Reagon edhe Vuçiqi

Më: 15 mars 2025 Në ora: 08:21 Përditësuar në ora: 17:22 më 15.03.2025
Protesta në Serbi

Nisin fjalimet në sheshin Sllavija

Në sheshin Sllavija të Beogradit, studentët kanë nisur t’i mbajnë fjalimet.

“Shikojeni sa shumë jemi këtu. Lë të zgjojë zëri ynë Serbinë”, ka thënë një student para turmës.

Një numër i madh njerëzish janë ende para ndërtesës së Parlamentit të Serbisë dhe në rrugët në afërsi.

Vuçiq: Jam i bindur që do ta përballojmë gjithë presionin dhe sulmet e ditës së sotme

Në prag të protestës në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vëzhguar nga afër punimet e një kantieri ndërtimi EXPO dhe ka thënë që është i bindur se “ do të ruhen paqja dhe stabiliteti”.

“Jam i bindur që sot do ta përballojmë gjithë presionin, sulmet dhe do të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Dhe më pas do të fitojmë në të ardhmen”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.

“Njerëzit kanë ëndrra të ndryshme. Disa ëndërrojnë për të shkatërruar diçka apo dikë, disa ëndërrojnë të ndërtojnë. Besoj se shumica e shtetasve serbë duan të ndërtojnë një Serbi më të mirë dhe më të suksesshme”, ka thënë Vuçiq të shtunën.

Dhjetëra mijëra njerëz afër Parlamentit

Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Bulevardin 'Mbreti Aleksandar', afër Parlamentit të Serbisë, raporton një gazetar i Radios Evropa e Lirë prej vendit të ngjarjes.

Zona është e mbyllur për trafik.

Turma të mëdha njerëzish janë parë në qendër të qytetit, duke mbajtur flamuj të fakulteteve nëpër duar, flamuj të Serbisë, dhe simbole të qyteteve prej nga janë.

 

Kordoni policor rreth ndërtesës së Presidencës

Kordoni policor është stacionuar rreth ndërtesës së Presidencës së Serbisë, për të garantuar siguri në ndërtesë dhe Parkun e Pionierit.

Disa qytetarë janë dëgjuar duke iu thënë zyrtarëve policorë: “Ejani se ju duam, ju jeni tanët”.

Rojet nuk lejojnë askënd që t’i afrohet Parkut të Pionierit

Rojet e studentëve nuk janë duke lejuar protestuesit që janë nisur nga drejtime të ndryshme që t’i afrohen Parkut të Pionierit, ku një grup studentësh janë duke protestuar, si shenjë kundërshtimi për bllokimin e fakulteteve.

Grupi “Studentët 2.0” janë duke qëndruar në këtë park që disa ditë. Ata e quajnë veten “studentët që dëshirojnë të mësojnë”.

Ata janë mbështetur nga veteranët e një njësiti kontrovers ushtarak, krimineli i dënuar i luftës, Vlladimir Llazareviq, dhe ish-komandanti i xhandarmërisë, Goran Radosavleviq – Guri.

Emri i Gurit përmendet për vrasjen e Vëllezërve Bytyqi, prandaj Departamenti amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

​“Protestuesit” serbë nga Shtërpca në Beograd, të financuar me nga 100 euro secili

Në protestat para institucioneve në Beograd po marrin pjesë serbë edhe nga Kosova, gjegjësisht Shtërpca. Ata kanë dalë në anën e regjimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e kundër studentëve protestues.

Mediat serbe kanë shkruar disa herë se si Lista Serbe po mobilizon qytetarë serbë nga Kosova për t’i dërguar në mbështetje të Vuçiqit në Serbi.

KP mëson se, serbët nga Shtërpca që po marrin pjesë në demonstratat në Beograd janë financuar me nga 100 euro secili.

Sipas burimeve, këto mjete dyshohet se janë shpërndarë nga Nikola Grbiq, i cili i ka marrë nga Bratislav Nikoliq, kryetar i të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm” të Shtërpcës, i cili gjithashtu ndodhet në Beograd.

Protestat në Beograd kanë hyrë në muajin e pestë. Studentët po kërkojnë përgjegjësi për rënien e çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona. Deri tani dorëheqje kanë dhënë kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriq.

Ndërsa sot, në Beograd pritet të mbahet protesta më e madhe deri më tash.

Daçiq: 13 persona janë ndaluar gjatë natës

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se janë regjistruar disa incidente në Beograd përgjatë natës, dhe që 13 persona janë ndaluar.

“Disa janë ndaluar për prishje të rendit publik. Të gjitha këto incidente janë drejtuar kah Parku i Pionierit. Shumica e traktorëve janë dëmtuar. Ka pasur tentime për t’ua vënë zjarrin traktorëve”, ka thënë Daçiq.

Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.

Ata e quajnë veten “studentët që duan të mësojnë”.

Disa e fajësojnë partinë në pushtet të presidentit serb, Aleksndar Vuçiq, Partinë Përparimtare Serbe se qëndron mbrapa protestave të studentëve që janë mbledhur në park.

Studentët mbajnë 15 minuta heshtje

Studentët kanë mbajtur 15 minuta heshtje në disa pjesë të Beogradit, si shenjë përkujtimi për 15 viktimat e Novi Sadit.

Ky akt përsëritet çdo ditë nëpër Serbi në orën 11:52 - kohën e saktë kur është rrëzuar streha prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

​Atmosferë e tensionuar proteste në Beograd

Tensionohet atmosfera në Beograd para protestës. Studentët që kanë bërë thirrje për protestë, kanë bërë të ditur se në orën 16:00 do të ketë dy tubime, para Kuvendit të Serbisë, por edhe te Slavija, ku do të ketë skenë, kor dhe folës.

“Studentët që duan të mësojnë” po kampojnë në parkun e Pionerit para Kuvendit të Serbisë, të rrethuar me traktorë dhe dyshohet se mund të ndodhin incidente të reja. Gazetarët e Danas raportojnë se në qendër janë vendosur pjesëtarë të Xhandarmërisë. Bllokada po mbahen në disa lokacione në Beograd gjatë paradites, pasuar nga marshime proteste dhe bashkim kolonash në qendër.

Mijëra qytetarë dhe traktoristë të mbledhur në Fakultetin e Bujqësisë janë nisur drejt rrethrrotullimit në Beogradin e Ri për t'iu bashkuar kolonës tjetër. Prej aty, të gjithë së bashku drejtohen drejt qendrës së qytetit. Ndërkohë, Partia Liri dhe Drejtësi njoftoi në rrjetin X se një incident ka ndodhur në Zharkovë, ku një veturë ka goditur turmën duke lënduar disa persona.

Ndërkohë, disa qindra qytetarë ndodhen tashmë në Kuvendin e Serbisë, ku janë dislokuar forca të forta policore, raporton një gazetar i FoNet.

Situata është e qetë, megjithëse atmosfera është e zhurmshme.

Studentët në bllokadë nga ETF dhe Arkitekturë kanë njoftuar në Instagram se tubimi qendror në ora 16:00 do të mbahet në Slavija në vend të Kuvendit të Serbisë për arsye sigurie, përkatësisht se fjalimet do të mbahen në Slavija. Pra, skena, kori dhe fjalimet do të jenë në Slavija.

Numër i madh i forcave policore në qendër të Beogradit

Një gazetar i Radios Evropa e Lirë raporton se një numër i madh i forcave policore dhe xhandarmërisë janë angazhuar në qendër të Beogradit, para nisjes së protestës së thirrur nga studentët.

Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat