Rusia dhe Ukraina sulmojnë njëra-tjetrën me dronë

Evropë

Rusia dhe Ukraina sulmojnë njëra-tjetrën me dronë

Më: 28 mars 2025 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Rusia dhe Ukraina kanë sulmuar njëra-tjetrën me dronë gjatë natës, teksa forcat ruse kanë rritur intensitetin e sulmeve tokësore.

Përmes një deklarate, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se në natën e 28 marsit, Rusia ka lëshuar ndaj Ukrainës 163 dronë të llojeve të ndryshme.

Nga 163 dronët, Forcat Ajrore ukrainase pretenduan se i kanë rrëzuar 89. Sipas tyre, 51 dronë dështuan të arrinin caqet, me gjasë si rezultat i kundërmasave të luftës elektronike.

Në 24 orët paraprake, trupat ruse kanë kryer granatime masive dhe sulme ajrore në qytetin jugor ukrainas të Hersonit dhe në disa vendbanime të rajonit, tha më 28 mars Oleksandr Prokudin, kreu i administratës rajonale ushtarake.

Hersoni ka qenë në epiqendër të luftimeve, pasi qyteti gjendet në vijën e frontit, duke bërë që banorët të jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të sulmeve me dronë dhe artileri.

Tre persona raportohet se janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur gjatë granatimeve të fundit në Herson.

Ndërkaq, në Rusi në qytetet Saratov dhe Engels ishin cak i sulmeve gjatë natës më 28 mars.

Rajoni i Saratovit vazhdimisht ka qenë cak i sulmeve ukrainase me dronë, veçmas për shkak se një bazë e rëndësishme ushtarake gjendet afër qytetit Engels.

Në total, Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi për rrëzimin e 78 dronëve ukrainas gjatë orëve të para të 28 marsit, raporton REL.

Teksa Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për të sjellë paqe në Ukrainë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase tha më 28 mars se trupat ruse kanë intensifikuar aktivitetin e tyre në terren, duke raportuar për 209 përleshje në 24 orët e fundit.

Numri më i madh i sulmeve ruse u regjistrua në drejtim të qytetit strategjik të Pokrovskut, në lindje të Ukrainës, tha ushtria e Kievit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat