Anesteziologu i Spitalit të Ferizajt Dr. Afrim Tasholli, ka humbur betejën me koronavirusin.
Tasholli ka qenë duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv Qendror Covid në QKUK që disa ditë për shkak të gjendjes së rënduar.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar drejtori i Spitalit të Ferizajt Dr. Jeton Zeqiri. Ai e ka vlerësuar lart kontributin e Tashollit si specialist dhe profesionist.
Njoftimi i plotë nga Zeqiri:
E zorshme, e dhimbshme e trishtë të flitet për ikjen e hershme të kolegut Afrim Tasholli një njeriu stoik e profesionist.
Stoicizmin e dëshmoi me përpjekjet prej sizifi për ta ngadhënjyer të keqen që e kaploi.
Ai tërë jetën iu përkushtua humanizmit. Një kohë me angazhimin në mjekësin primare të Ferizajt,specializimin në Prishtinë dhe si specialist i Anesteziologjis me Mjekim Intesiv në Spitalin e Përgjithshëm Ferizaj.
Dha kontribut edhe në edukimin e brezave të ri me angazhim në shkollën mesme të mjekësis “Elena Gjika”.
Dr. Afrimi është vetëm njëri nga ne që nuk rreshti që me punën e tij ta lartësojë profesionin e mjekut.
Afrimi ishte njeri i mirë sikurse edhe profesionist i mirë.
Por, sot, Afrimi e humbi betejën nga ky virus nga kjo pandemi që e kaploi mbarë botën.
Afrimi do të kujtohet çdoherë si një nga emrat e mjekëve që kontribuoi në sferën e shëndetësisë dhe standardeve profesionale, të cilave u qëndroi konsistent deri në frymën e fundit.