Të premten, në oborrin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Vezir Jashari”, në Ferizaj ndodhi një ngjarje e pazakontë.
Në fushën e futbollit zuri vend një ceremoni fetare, meqë ky objekt shkollor i ndërtuar në vitin 2007 gjendet pranë varrezave të vjetra të qytetit.
Kjo ngjarje që ndodhi në prani të nxënësve e irritoi drejtoreshën e shkollës e cila edhe e raportoi situatën.
“Ky veprim duhet të dënohet nga organet kompetente, sepse oborri i shkollës duhet të përdoret vetëm nga nxënësit për të cilët edhe është i destinuar”, tha Zyhrija Vata.
Rastin e sheh si të papranueshëm edhe Drejtori i Arsimit në këtë komunë.
“Pamja e djeshme është pamje që edhe neve na ka shqetësuar, është dicka që është treguar e papërgjegjshme qoftë familja e të ndjerit apo ata që kanë marrë pjesë në varrim, sepse është dashur të kërkohet leje”, ka deklaruar drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani.
Ndërsa, nga Këshilli i Prindërve në Ferizaj thanë përmes telefonit se gjatë të hënës do të mblidhen për të diskutuar për këtë çështje e më pas do të dalin me një vendim.