Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër A.K. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale kanosja.
I dyshuari e kishte kanosur vëllain e tij ku përmes telefonit i ka thënë se “një okfirë ka me zbrasë në ty”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 20.05.2021 në Ferizaj, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit ka kanosur seriozisht me fjalë dhe gjeste të dëmtuarin- vëllain e tij H.K., në atë mënyrë që disa ditë më parë përmes telefonit i ka dërguar sms dhe e ka kanosë me fjalët se: “një okfirë ka me zbrazë në ty”, pastaj nën posedimin e armës të llojit HS me caliber 9 MM, ka lëvizur me armë në shtëpinë e tyre dhe kjo kanosje kishte ardhur rreth një borxhi në mes tyre dhe me këtë i ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri të dëmtuarit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.