Bazuar në Strategjinë e Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit të komunës së Ferizajt, ka thirrur në takim të gjithë drejtorët e shkollave të mesme të larta dhe të ulta të Ferizajt, takim ky që u mbajt sot me datën 09.03.2022 nga ora 10:00 në sallën e kuvendit të komunës së Ferizajt .
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të Prokurorisë Themelore dhe Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Drejtori Rajonal i policisë, Nënkoloneli Basri Shabani para të pranishmëve prezantoi një raport të ligjeratave të mbajtuara në të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt, me tema të ndryshme në vetëdijësimin e nxënësve në parandalim të dukurive negative , po ashtu shpalosi edhe trendin e rasteve kriminale që nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe aksionet e policisë nëpër shkolla.
Në këtë takim, veç tjerash u diskutua situata e sigurisë në shkolla dhe në afërsi të shkollave. U vlerësua dhe u lavdërua puna e mirë e policisë, aksioni i Sektorit Rajonal të Hetimeve i nisur që në dhjetor të vitit 2021, i cili aksion po vazhdon edhe këtë stinor , në identifikimin dhe kapjen e personave që prishin rendin dhe qetësinë publike rreth dhe nëpër shkolla.
Drejtori Rajonal i Policisë i siguroi të pranishmit se, policia do të vazhdojë me ligjerata në shkolla dhe do të shtojë aktivitetet e policisë, veç policëve me uniformë do të angazhojë edhe pjesëtarë të policisë me rroba civile në parandalim të dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla.
Policia Rajonale e Ferizajt fton qytetarët për bashkëpunim, nëse kanë informacione rreth dukurive negative nëpër shkolla të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ’’ dhe në numrat kujdestarë : 192 , 0290/326-250 & 0290/322-406.