Ferizajasit ankohen se rrugët ku ka punime nuk po riparohen

Ferizaj

Ferizajasit ankohen se rrugët ku ka punime nuk po riparohen

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 22:30
Foto ilustrim

Rrugët në Ferizaj, pas prerjes së asfaltit dhe heqjes së kubëzave për shkak të punimeve nëntokësore, nuk riparohen për një kohë të gjatë, gjë që pengon qarkullimin e lirë. Kjo situatë infrastrukturore po u shkakton shqetësim qytetarëve.

“Së pari prishja e automjeteve po bëhet në çdo udhëtim që po e bëjmë. Po e prejnë asfaltin e ri sa po shtrohet. Ose është dashur që t’i rrihet gati që pa u shtruar asfalti të hapet ose tani ka teknologji që të shpohet dhe jo që të prehet asfalti se ai nuk po ndreqet si ka qenë”, tha qytetari Avdurrahim Qerkini

“Mendoj se duhet një herë e përgjithmonë që të vetëdijesohet popullata ta ngrit zërin në maksimum, e që njëherë përgjithmonë të punohet në mënyrë profesionale dhe të mos jemi në këtë mënyrë se është problem i madh dhe populli po i hjek të gjitha të këqijat”, tha Ramadan Ademaj, një tjetër banor i Ferizajt.

Edhe Rexhep Azemi thotë se prerja e asfaltit po u kushton qytetarëve. “Ne të gjitha pagesat i bëjmë për rrugë, e rrugët janë keq. Dëmet nëpër vetura katastrofë”, tha ai.

Komunarët thonë se shpesh operatorët por edhe qytetarët që kryejnë punime nuk e kthejnë vendin në situatën e mëparshme. Por sipas komunës ata do të ndëshkohen.

“Ato raste të cilat nuk janë respektuar normalisht që inspektorati komunal e ka për obligim që të dal në vendngjarje dhe aty ky kemi kërkesa apo ankesa të qytetarëve nëse operatori ekonomik nuk e kthen në afat 7 ditësh edhe mund te jetë subjekt i gjobës të inspektoratit komunal”, tha Arbër Bytyqi, drejtor i Urbanizimit në Ferizaj.

Në disa raste, sipas komunës janë marrë masa si ndaj operatorëve por edhe qytetarëve.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat