Sfidat dhe vizioni i kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Ferizajt

Ferizaj

Sfidat dhe vizioni i kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Ferizajt

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 11:52
Prokuroria Themelore në Ferizaj

Kandidatët për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini dhe Ismet Rrahmani, në koncept-dokumentet e tyre kanë theksuar mangësitë dhe objektivat e tyre për këtë Prokurori.

Sipas prokurorit Burim Çerkini, gjendja aktuale në Prokurorinë e Ferizajt është e mirë, ka një avancim të zgjidhjes së rasteve dhe transparencës ndaj publikut. Sipas tij, edhe numri i prokurorëve është i kënaqshëm pasi është duke u arritur përmbushja e objektivave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sfidë sipas prokurorit Çerkini është numri i madh i kallëzimeve penale me persona të panjohur të trashëguara ndër vite, pasi sipas tij përkundër kërkesë së tyre, Policia e Kosovës nuk ka mundur të identifikojë kryerësit e veprave penale dhe meqë për disa vepra penale nuk ka parashkrim absolut, kanë mbetur të pakryera.

Sfidë tjetër sipas tij, është mosfunksionimi në tërësi i sistemit SMIL, por që janë duke punuar që ta tejkalojnë atë.

Sa i përket mangësive, ai ka theksuar se duhet angazhim i hetimit të krimit financiar, krimeve ekonomike dhe korrupsionit, ngritje e cilësisë së aktakuzave të mbështetura në prova, promovimin e procedurës alternative, etj.

Sipas tij, strategjitë aktuale adresojnë nevojat e Prokurorisë, por që nevojitet monitorim i zbatimit të këtyre strategjive. Për këtë, ai thotë se duhet të hartojnë planet e veprimit duke adresuar objektivat dhe përcaktuar prokurorët për zbatimin e këtyre objektivave.

Vizioni i tij për Prokurorinë e Ferizajt, është arritja e standardeve dhe vlerave më të larta të profesionalizmit, llogaridhënies dhe transparencës, ndershmërisë, e integritetit.

“Do angazhohemi dhe udhëhiqem për një sistem sa më të pavarur dhe të paanshëm që do të siguronte trajtim profesional të ndjekjes penale duke respektuar standardet më të larta të hetimit…”, thuhet në koncept-dokumentin e Çerkinit.

Objektivat kryesore të tij, thotë se janë profesionalizimi, pavarësia, llogaridhënia, transparenca, disiplinimi dhe besimi i publikut.

Për të arritur këto objektiva, ai thotë se do punojë me prokurorët në punë ekipore, stafin profesional, si dhe organet tjera për sundimin e ligjit. Ai ka theksuar se prokurorët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me ligjin, pa marrë parasysh çfarëdo ndikimi.

Prokurori Çerkini ka thënë se do kërkojë llogaridhënie, që vartësit e tij të veprojnë me kohë në procedimin e rasteve, përfaqësim të mirëfilltë të aktakuzave e trajtim të barabartë të qytetarëve. Ai ka shtuar se si autoritet kompetent do veprojë me kohë për disiplinimin e prokurorëve brenda afateve për çdo shkelje eventuale për të cilën ka ankesë.

Veç kësaj, ai thotë se do krijojë transparencë përmes publikimeve të informatave brenda kornizave ligjore, si dhe ngritje të besimit në Prokurori përmes punës se tij profesionale, të paanshme dhe transparente.

Vështirësitë për përmbushjen e këtyre objektivave, prokurori i sheh tek ndikimi dhe presioni politik apo presion tjetër me të cilën mund të përballen, e që sipas tij mund të kërcënojë pavarësinë dhe profesionalizmin e Prokurorisë.

Mungesa e burimeve të nevojshme, është sfidë tjetër sipas kandidatit Çerkini, pasi prokurorët mund të kenë objektivë luftimin e korrupsionit dhe veprave tjera, por kjo është sfidë pasi sipas tij këto forma të krimit janë të përhapura dhe të fuqishme.

Përdorimi i teknologjisë, thotë ai, është sfidë për të siguruar integritetin e të dhënave të ndjekura. Në anën tjetër, thotë se bashkëpunimi ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale mund të jetë sfidë pasi jo gjithmonë kanë raporte të mira bashkëpunimi me shtete të ndryshme.

Për tejkalimin e këtyre sfidave, prokurori thotë se duhet përkushtim, menaxhim të arsyeshëm të burimeve që në një kohë sa më të shkurtër të marrë masa dhe menaxhojë sfidat. Ndër të tjera, Çerkini thotë se do t’i ndajë punët në mënyrën e duhur dhe do inkurajojë stafin për avancim, në veçanti ata me aftësi të kufizuara dhe stafin që vijnë nga radhët e komuniteteve.

Për të balancuar transparencën me konfidencialitetin, ai thotë se nëse ka nevojë do hartohen politika të reja ku përcaktojnë se si duhet të merren vendimet dhe si të menaxhohet informacioni i rëndësishëm.

“Komunikimi me publikun, dhe takimi i vazhdueshëm me publikun për t’i informuar ata rreth punës së Prokurorisë, përdorimi i mediave sociale dhe faqen zyrtare të Prokurorisë për të ndarë lajmet dhe informacionet e rëndësishme për publikun”, thuhej në koncept-dokumentin e tij.

Gjithashtu, Çerkini thotë se do të bashkëpunojë edhe me shoqërinë civile që ndihmon në monitorimin e pavarësisë dhe llogaridhënies së Prokurorisë.

Për të siguruar punë cilësore, ai ka thënë se do të sigurojë që stafi të marrë pjesë në seminare, trajnime të vazhdueshme. Ai shton se planifikon të kërkojë nga KPK që të kryejë proces të rekrutimit të kujdesshëm të stafit të ri i cili të jetë i kualifikuar dhe ka aftësi për të kryer detyrat në mënyrë cilësore.

Ai shton se planifikon të bashkëpunojë ngushtë me gjykatat, policinë dhe organet tjera të drejtësisë, për të siguruar koordinim sa me të mirë në proceset e ndjekjes.

Kandidati tjetër për kryeprokuror të Ferizajt, prokurori Ismet Rrahmani, në koncept-dokumentin e tij, ka vlerësuar se gjendja aktuale në Prokurorinë e Ferizajt edhe me numrin e stafit dhe kryerjen e lëndëve qëndron mirë, pasi nuk ka mbingarkesë më lëndë.

Edhe prokurori Rrahmani, sfidë e ka konsideruar numrin e madh të kallëzimeve penale me persona të panjohur. Gjithashtu, sipas tij sfidë është edhe ndërlidhja e sistemit elektronik për menaxhimin e lëndëve me Polici, por që gradualisht ky problem ka filluar të evitohet.

Ai thotë se Prokuroria duhet të angazhohet në ngritjen e hetimit financiar, krimeve ekonomike dhe korrupsionit. Gjithashtu, thotë se duhet të angazhohen në ngritjen e cilësisë së aktakuzave, aplikimin e procedurave alternative dhe institutin e pranimit të fajësisë.

Prokurori Rrahmani thotë se zbatimi i strategjive aktuale adreson nevojat e Prokurorisë se Ferizajt.

Vizioni i tij nëse zgjidhet Kryeprokuror, thotë të jetë arritja e vlerave më të larta profesionale, ndershmëria, integriteti, llogaridhënia e transparenca. Tha se për të arritur këtë do bashkëpunojnë ngushtë edhe me bashkëpunëtorët profesional, në mënyrë që të angazhohen në rritjen e nivelit profesional të hetimit, aktakuzave, vendimeve që janë kompetencë e Prokurorit të Shtetit.

Rrahmani thotë se do të punojë afër më prokurorët kompetent për trajtimin e veprave të natyrës korruptive, krimeve ekonomike, trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit më lëndë narkotike, etj. Për të arritur përmirësimin e punës operative, prokurori thotë se do angazhohet të krijojë protokolle të qarta komunikimi dhe koordinimi me Policinë, gjykatat, agjencitë e institucione tjera ndërkombëtare.

Sipas tij, me qëllim të përmirësimit të punës operative, ai do fokusohet në: hartimin e planit të punës, respektivisht zvogëlimin e lëndëve, takime të rregullta me prokurorë, takime për çështje individuale, takime me stafin mbështetës, rritja e nivelit të bashkëpunimit me institucionet tjera, hetimi dhe ndjekja penale në mënyrë të drejtë, rritjen e nivelit të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale, takime me qytetarët në ditë të caktuar dhe ditëve tjera.

Objektivat kryesore të tij thotë të jenë: forcimi i mekanizmave për mbrojtën e pavarësisë profesionaleve të prokurorëve dhe zyrtarëve tjerë, rrita e transparencës në proceset e vendimmarrjes, krijimin e kulturës që inkurajon autonominë e prokurorëve dhe zbatimin e ligjit pa ndikime nga jashtë.

Për rritjen e efikasitetit të hetimeve në Procedurën Penale, ka thënë se kjo arrihet duke vepruar ndaj veprave penale karakteristike që ndërlidhen edhe me strategjinë e Sistemit Prokurorial. Për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ai ka thënë se kjo arrihet përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për ndjekjen dhe identifikimin e grupeve kriminale dhe korrupsionit, trajnime të vazhdueshme për metodat e avancuara të hetimit dhe ndjekje në raste komplekse.

Për rritjen e integriteti dhe transparencës, ai ka thënë se do ta arrijë përmes publikimit të raporteve të përformancës dhe statistikave për rastet e trajtuara, trajnimet për stafin për të parandaluar praktikat e këqija.

Prokurori Rrahmani ka shtuar se do të krijojë një strategji për komunikimin me median dhe publikun, duke siguruar informimin e duhur për zhvillimet, forcimin e një politike të hapur dhe transparente që garanton se informacionet janë të sakta, të mirëmenduara, pa kompromentuar integritetin e hetimeve, si dhe përdorimin e mediave sociale dhe kanaleve tjera për të komunikuar të qytetarët.

Lidhur me tejkalimin e sfidës për lëndët me kryerësit e panjohur, ka thënë se përveç prokurorëve, do të angazhohen edhe bashkëpunëtorët profesional, pasi ka shumë lëndë të tilla. Ndërsa, për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, ai ka thënë se frytdhënëse do ishte bashkëpunimi me ILEC-un dhe trajnimet me karakter ndërkombëtar. Kurse, për vështirësitë me sistemin SMIL, ka thënë se do tejkalohen përmes trajnimeve me ekspertë të fushës.

Lidhur me menaxhimin e stafit, ai ka thënë se do fokusohet në përcaktimin e vlerave të përbashkëta si transparenca, llogaridhënia, respekti dhe përkushtimi ndaj drejtësisë. Po ashtu, fuqizimi i moralit të stafit përmes frymës së bashkëpunimit, takime të rregullta për të arritur nivelet e larta të përformancës.

Për çdo lëshim në lidhje me punën dhe detyrat e tyre, Rrahmani thotë se do kërkojë llogaridhënie dhe përgjegjësi sipas dispozitave ligjore. Sipas tij, meqenëse nuk ka ngarkesë të madhe me lëndë, do punojnë në ngritjen e cilësisë dhe çdo hudhje e aktakuzës apo pushim i hetimeve do kontrollohet se bashku me prokurorin e çështjes. Sipas tij, do kontrollohen edhe aktakuza që bëjnë pjesë në veprat penale karakteristike.

“Fokusi tjetër i imi do të jetë raportimi i rregullt i prokurorëve lidhur me hetimin e veprave penale si dhe përfundimin e rasteve, e veçanti raportimin e veçantë për rastet e ndejshme të cilat kërkojnë urgjencë”, thuhet në konceptin e tij.

Për përmirësimin e llogaridhënies, ai ka theksuar se do kërkojë që prokurorët të zbatojnë drejt dispozitat ligjore, rregulloret dhe udhëzimet e sistemit prokurorial, raportime të rregullta për punën e tyre, respektimin e Kodit të Etikës, punën ta kryejnë duke respektuar të drejtat e njeriut, të bëjnë përpjekje për zvogëlimin e lëndëve, të jenë të përgjegjshëm dhe shprehin integritet gjatë punës, dhe çdo prokuror të arrijë nivelin e duhur të bashkëpunimit dhe komunikimit me institucionet tjera dhe palët në procedurë.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK), në mbledhjen e 275-të mbajtur më 20 nëntor 2024, ka konfirmuar kandidatët për Kryeprokurorë në pesë Prokurori Themelore dhe atë: Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat