Një banor i Ferizajt, në redaksinë e Klankosova.tv raportoi se në rrugën “Hasan Prishtina” të këtij qyteti nuk ka rrymë tash e 28 orë.
Ai shprehet se pavarësisht që rasti është lajmëruar të paktën pesë herë në KESCO, problemi vazhdon.
Klankosova.tv ka folur me zëdhënësin e KEDS-it, Lulzim Krasniqin, i cili thotë se problemi me energjinë elektrike në rajonin e Ferizajt vjen për shkak të mbingarkesës.
Madje, Krasniqi shtoi se si shkak i mungesës së kapaciteteve nga ana transmisive, KOSTT-i po kërkon shkyçjen në mënyrë që të ruhen asetet elektroenergjetike.
“Si pasojë e mungesës së kapaciteteve transmisive të transmisionit, KOSTT-i me qëllim ruajtjen e aseteve elektroenergjetike po kërkon shkyçjen për të tejkaluar mbingarkesën”, tha Krasniqi.
Nga fillimi i kësaj jave, situata energjetike në vend ka pësuar kolaps pothuajse të tërë. Shumë komuna kanë mbetur në terr pothuajse të vazhdueshëm.
E dje, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bashkë me Kryeshefin e KOSTT-it, Evetar Zeqiri dolën në konferencë për media për të njoftuar opinionin mbi këtë situatë.
Ata thanë se shkak i mungesës së energjisë elektrike në vend është “zhvillimi ekonomik” i viteve të fundit.