Sot, AVONET mbajti një koferencë për media, në lidhje me anulimin e pëlqimit të Planit Zhvillimor Komunal, Ferizaj.
Vendimet e gjykatave në lidhje me këtë çështje konstatuan se miratimi nga Komuna e Ferizajt dhe dhënia e pëlqimit të PZHK-së nga MMPHI, ishte i zhvilluar në procedura të kundërligjshme, të cilat u shoqëruan edhe me falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga zyrtarët publik të cilët zhvilluan këto procese.
“AVONET nga burimet e saja posedon edhe disa komunikime zyrtare të brendshme në mes zyrtarëve të Komunës së Ferizajt, të cilat konfirmojnë se për lëshimin e kushteve ndërtimore, Komuna e Ferizajt duhet të mbështetet në PRRU. “ thuhet në njoftim.
Tutje ata thanë se, pas miratimit të PZHK-së, Komuna e Ferizajt edhe pse ka qenë ligjërisht e detyruar që brenda 9 muajve të i miratoj planet e hollësishme urbane – hartat zonale, ajo qëllimisht për 7 vite nuk i ka miratuar, vetëm e vetëm që të lëshoj këto qindra leje ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme.
“Për fund, AVONET deklaron se nuk është asnjëherë kundër ndërtimeve dhe zhvillimit urban të qytetit të Ferizajt, por ka qenë është dhe do të mbetet gjithmonë kundër lëshimit të vendimeve të lejeve ndërtimore në kundërshtim me dispozitat ligjore të legjislacionit të aplikueshëm. AVONET është shumë e shqetësuar me shkatërrimin apo degradimin e qytetit të Ferizajt, i cili degradim dhe shkatërrim urban do të shkaktoj pasoja të pariparueshme për qytetarët të cilët do jetojnë në të ardhmen në këtë qytet.”