Vendosja e hidrantëve në disa pjesë të qytetit të Ferizajt, po vazhdon të vlerësohet si mundësi e mirë për t’ia lehtësuar punën zjarrfikësve në këtë qytet në rast të fatkeqësive të zjarreve.
Projekti i nisur javë më parë nga komuna, tashmë ka arritur në fazën përfundimtare dhe është duke u testuar nga ekipet e zjarrfikësve.
Në komunën e Ferizajt kanë thënë se ky projekt ka për qëllim të mundësimit të reagimit të shpejt të ekipeve emergjente të zjarrfikësve në rastet e fatkeqësive nga zjarri.
“Zbatimi i këtij projekti pritet të përmirësoj ndjeshëm infrastrukturën e sigurisë kundër zjarrit në qytet. Ky projekt ka vazhduar sipas planit dhe pritet të përfundojë brenda afateve të përcaktuara”, ka thënë drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Ferizaj, Alberton Sahiti.
Zymri Krasniqi, komandant i zjarrfikësve në Ferizaj, ka thënë se ky projekt lehtëson punën e ekipeve të zjarrfikësve në raste të fatkeqësive nga zjarri.
“Është mirë që në të ardhmen të kemi hidrantë të tillë në secilën lagje, sepse kjo e lehtëson punën e zjarrfikësve. Është një projekt i qëlluar dhe i mirëpritur nga të gjithë”, ka thënë midis të tjerash Krasniqi.