Një muaj paraburgim për të dyshuarin e shitjes së narkotikëve

Ferizaj

Një muaj paraburgim për të dyshuarin e shitjes së narkotikëve

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 16:38
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.U., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Sahit Krasniqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 24 shkurt 2025 rreth orës 14:10, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, konkretisht në banesën ku jeton, i pandehuri pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që pas kontrollit nga ana e Njësitit Anti Drogë, në dhomën e tij janë gjetur dyzet e dy (42) qese najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë dhe njëmbëdhjete (11) paketime najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 10.09 gram, dy (2) paketime najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 2.15 gram, një (1) paketim najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 1.14 gram, një (1) paketim najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 1.83 gram, dymbëdhjetë (12) paketime najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 11.45 gram, pesëmbëdhjetë (15) paketime najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 7.39 gram, si dhe një kavanoz qelqi e cila ishte e mbushur me substancë të dyshuar narkotik të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 11.45 gram”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është gjetur një peshore digjitale ngjyrë hiri dhe të holla në vlerë totale 111 euro, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat