Jeta e mbretit suedez në një serial televiziv

Filma

Jeta e mbretit suedez në një serial televiziv

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 23:45
Carl Gustaf XVI

Jeta e mbretit suedez, Carl Gustaf XVI është vendosur të jetë tema e një seriali televiziv, i ngjashëm me dramën “Kurora”.

Seriali përshkruan fëmijërinë, rininë dhe jetën e Carl Gustaf XVI si monark. Ai u bë mbret në 1973. Tre vjet më vonë, u martua me Silvia Sommerlath, me origjinë gjermane, të cilën e takoi në Lojërat Olimpike 1972, në Mynih.

“Seriali ende pa titull parashikohet të përmbajë gjashtë episode 45-minutëshe dhe të vazhdojë për disa sezone”, njoftuan transmetuesi TV4, shërbimi streaming “C More” dhe kompania e prodhimit “Filmlance”, duke konfirmuar raportet e shtypit.

Materiali ekskluziv, që dokumenton fëmijërinë e mbretit, i cili mbush 75 vjet në prill, është shkruar nga Asa Lantz, skenaristja e produksionit biografik televiziv suedez “Selma”, e vitit 2008, rreth kandidates suedeze për Nobel në Letërsi, Selma Lagerlof.

“Mbretërit dhe mbretëreshat e tjera thuhet se kanë pasur një ndikim në ngjarjet botërore. Historia e Mbretit tonë është diçka ndryshe. Jo siç theksohet ndërkombëtarisht, por të paktën po aq dramatike dhe magjepsëse”, tha Lantz në një deklaratë.

Lantz shtoi se qasja e saj do të jetë e ndryshme nga ajo e dramave të tjera që shfaqin familje mbretërore, si “Kurora” për familjen mbretërore britanike  ose prodhimi i fundit norvegjez, “Atlantic Crossing”, që paraqet mbretërit norvegjezë në mërgim në Londër dhe SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat