Aktori Jude Law është parë i veshur si personazhi kapiten Grremçi, pas fillimit të punës së tij në versionin më të fundit të filmit aksion të “Peter Pan and Wendy”.
Aktori 48-vjeçar kishte në dorë një maskë fytyre gjersa po drejtohej në sheshxhirim në Vancouver me veshjen e tij prej pirati, për ta marrë rolin e të ligut në përrallën ikonike. Jude është aktori më i fundit në radhën e gjatë të yjeve që e kanë portretizuar piratin legjendar të romanit klasik nga J.M. Barrie dhe ndjek hapat e Jason Isaacsit, Dustin Hoffmanit dhe Garrett Hedlundit.
Me një jelek të kuq dhe çizme të zeza, Jude ishte transformuar tërësisht në Captain derisa po drejtohej për në sheshxhirim.
Ylli i “King Arthur: Legend of the Sword” kishte flokë dukshëm më të gjata se zakonisht, mjekër dhe mustaqe. Duke e fshehur karakteristikën kryesore të Grremçit, që është në krah, Jude e mbante dorën prapa gjersa fliste me pjesëtarët e ekipit.
Peter Pan dhe Wendy do të portretizohen nga aktorët Alexander Molony dhe Gabo Anderson. Qysh prej prillit kur u kuptua se asaj do t’i jepej roli i Wendyt, ajo kishte thënë për “Flaunt” se ndihet si Wendy.
“Thjesht ndihem si Wendy, vajza që nuk do të rritet kurrë! E doja tepër shumë këtë rol, vetëm për të mendoja”, kishte thënë aktorja.
Regjisori i “Pete's Dragon” do të jetë në krye të projektit dhe do ta shkruajë skenarin së bashku me Toby Halbrooks.
Libri tregon historinë e vajzës Wendy Darling dhe dy vëllezërve të saj, Michael dhe John, të cilët fluturojnë në Asgjëkund, pasi e zbulojnë se Peter dhe zana e tij, Tinker Bell, janë në dhomën e tyre.
Fëmijëve u shfaqet një botë magjike me plot përralla, sirena, indianë dhe piratë dhe i bashkojnë forcat me ekipin e Peterit “The Lost Boys” për ta mposhtur kapiten Grremçin dhe për ta pushtuar anijen e tij “The Jolly Roger”.
Në shumë versione i njëjti aktor e ka luajtur rolin e kapiten Grremçit dhe Darlingut, pasi në roman tregohet se i ligu është pasqyrë e Darlingut, babait i rreptë i fëmijëve dhe përpjekjeve të tij për t’i shtyrë që ‘të rriten’.