Bill Cosby shpreson të rikthehet në industrinë e komedisë pasi u lirua nga burgu të mërkurën, pasi vuajti dy vjet burg.
Aktori 83-vjeçar i "Cosby Show", i njohur dikur si "Babai i Amerikës", kaloi natën e tij të parë jashtë burgut duke bërë "rutina komedie", zbuloi ekskluzivisht zëdhënësi i tij Andrew Wyatt për Fox News.
Wyatt gjithashtu tha se Cosby shpreson të rigjallërojë karrierën e tij në stand-up.
"Ai dëshiron të kthehet në skenë herët a vonë," tha Wyatt.
Gjykata më e lartë e Pensilvanisë shfuqizoi dënimin për sulm seksual të Cosby të mërkurën në befasi të shumë vetave dhe më pas u la i lirë.
Wyatt gjithashtu pretendoi për Inside Edition se "një numër i promovuesve" dhe pronarëve të klubeve të humorit kanë arritur tashmë tek ekipi i tij.
"Njerëzit duan ta shohin atë", pohoi Wyatt.
Në orët e tij të para të lirisë, Cosby u pa duke ngrënë pica në një restorant në qendër të Filadelfias. Ai gjithashtu qëndroi zgjuar deri në orët e para të mëngjesit duke ndarë të qeshura, tha Wyatt.
"Ai thjesht tregonte shaka dhe argëtohej, duke shijuar jetën," tha zëdhënësi.
Lirimi i Cosby, i dënuar nga tri deri në dhjetë vjet burg, rezultoi me reagime të ashpra nga akuzuesit e tij dhe të famshëm në të gjithë botën. Sidoqoftë, Wyatt tha se Cosby dhe ekipi i tij "nuk i kushtojnë vëmendje kësaj. Kjo nuk është as në ekranin tonë të radarëve".
Mbështetësit më të mëdhenj të Hollywood-it të lëvizjeve #MeToo dhe Time's Up - ndër të famshmit e tjerë - reaguan në mediat sociale.
Aktorja Amber Tamblyn, një anëtar themeluese e Time's Up përshkroi lirimin e Cosby si të tmerrshëm.
"Unë jam e zemëruar kur dëgjova këtë lajm. Unë personalisht njoh gra që ky burrë i drogoi dhe i përdhunoi ndërsa ishte pa ndjenja. Turp për gjykatën dhe këtë vendim... Sistemi ynë i drejtësisë duhet të ndryshojë", tha ndër tjera ajo.
Edhe kryeshefja ekzekutive e fondacionit Time's Up, presidentja Tina Tchen në një deklaratë tha se drejtësia për gratë e abuzuara është fshirë plotësisht me lirimin e Cosbyt.