Studioja “Relativity Media” e ka publikuar trailerin e parë të filmit të tyre të ardhshëm, “Violet”, i cili e shënon debutimin regjisorial të Justine Batemanit. Ky projekt kinematografik ka marrë vlerësime mbresëlënëse nga kritikët nëpër festival të filmit, derisa në rolin protagonist e sjell aktoren, Olivia Munn.
Ylli i filmit “X-Men: Apocalypse” e portretizon një grua e cila detyrohet të luftojë me frikën brenda vetes, Violet Calder. Ajo e dëgjon një zë përbrenda që vazhdimisht e bënë të ndihet keq me veten dhe vendimet në jetën e saj, duke i shkaktuar paranoja dhe dyshime.
Përveç Olivia Munnit, në film luajnë edhe aktorët Justin Theroux dhe Luke Bracey.
Filmi e shënoi premierën botërore në Festivalin e filmit “South by Southwest” si dhe ishte pjesë e filmave konkurrent në edicionin e sivjetmë të Festivalit të filmit në Toronto.
“Violet” fillon së shfaquri në New York dhe Los Angeles më 29 tetor, para se të lansohet më gjerësisht nëpër kinematë amerikane nga 5 nëntori.