Tashmë dihet që dy janë filmat më të përfolur të momentit: “Barbie” dhe “Oppenheimer”.
Megjithëse ky i fundit e humbi betejën kundër “Barbie”-t, ai prapë vazhdon të jetë filmi i dytë më i shikuar i momentit në mbarë globin.
Por për çfarë flet historia e këtij filmi që ka ngjallur interesim kaq të madh?
“Oppenheimer”, i cili u shfaq premierë në kinematë botërore më 21 korrik 2023, bazohet në librin biografik fitues të çmimit “Pulitzer” të titulluar “American Prometheus: The Triumph and Tragedy of J. Robert Oppenheimer (Prometheu Amerikan: Triumfi dhe Tragjedia e J. Robert Oppenheimer)”.
Ai i tejkaloi pritshmëritë e prodhuesve të filmit, duke fituar 82.4 milionë dollarë në arkën e fitimeve.
Filmi biografik flet për personazhin J. Robert Oppenheimer, rol i luajtur nga Cillian Murphy, shkencëtari që drejtoi në mënyrë të famshme Projektin Manhattan – përpjekjen për të krijuar një bombë atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Murphy tregoi se roli i dukej “i jashtëzakonshëm dhe i tmerrshëm” kur iu prezantua për herë të parë.
Filmi ka të bëjë me krijimin e bombës atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më konkretisht, ai flet për J. Robert Oppenheimer, njeriun përgjegjës për bërjen e projektit Manhattan një sukses.