​46 vjet nga vdekja e Charlie Chaplin

Filma

​46 vjet nga vdekja e Charlie Chaplin

Më: 25 dhjetor 2023 Në ora: 07:54
Charlie Chaplin

Më 25 dhjetor 1977 ka vdekur në Zvicër aktori, skenaristi, regjisori dhe producenti anglez Charlie Chaplin, një nga pionierët e kinemasë dhe një ndër artistët më të mëdhenj në historinë e filmit.

"Ai nuk ishte një yll Hollywood-i", thotë ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, "sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte".

Mustaqe të zeza, kapela, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha - karakteristika të Charlie Chaplin këto që nuk i harron askush. Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, me të cilin korri sukses të madh “Fëmija” (1921), “endacaku” ndërthurte në figurën e tij humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.

Lindur më 16 prill 1889 në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër në vitin 1977 - gjatë jetës ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollywood. Filmi i tij “Etja për ar” (1925) ka për tematikë pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.

Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për “Dritat e qytetit” ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot te filmat e Chaplin.

Charlie Chaplin ishte i dhënë pas grave dhe është martuar gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja. Kjo shpesh herë i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, apostujt e moralit e kanë kritikuar ashpër atë.

Gruaja e dytë e tij Lita Grey Chaplin dhe dy fëmijët - 1913

Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si “Kohët moderne” (1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – njeriu në ingranazhet e industrializimit.

Një vepër mjeshtërore e Chaplin është filmi "Diktatori i madh" (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Adolf Hitlerin dhe nazistët - Chaplin ia doli me sukses. Më vonë Chaplin është shprehur, se po të kishte pasur dijeninë për kampet e përqendrimit ai nuk do ta kishte xhiruar filmin. E pavarësisht kësaj "Diktatori i madh" edhe sot është një film që ia vlen të shihet.

Në veprën e mëvonshme "Projektorët", Chaplin ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij. AI ka për tematikë ulje – ngritjet e artistit. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë kur Chaplin përçmohej në SHBA. Atë e akuzonin atje, se ishte i afërt me komunizmin. Chaplin, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk u lejua të kthehej në SHBA.

Pas dhjetë vjetëve ndërprerjeje, Charlie Chaplin rivuri në skenë në Evropë në vitin 1967 filmin "Kontesha e Hong-Kongut". Ndonëse filmi me dy yjet e kinematografisë Sophia Loren dhe Marlon Brando pati aktorë të nivelit të lartë, ai nuk solli asnjë sukses komercial. Vitet e fundit të jetës Chaplin i kaloi në Zvicër. Vetëm një herë u kthye shkurt në SHBA.

As sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakate, fotografi apo internet – figura e “endacakut” me tiparet tipike të aktorit Charlie Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave – ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët.

Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin “endacakun”. "Ai nuk ishte një yll Hollywood-i", thotë ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, "sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte". Edhe sot mund të thuash që Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor. Ai është një legjendë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat