Më 22-23 mars 2024, u mbajt edicioni i 11-të i Festivalit të Filmit “Movie Day” në Romanshorn të Zvicrës. Në këtë festival konkurrojnë dy kategori të realizuesve të rinj të filmit:
Në kategorinë A përfshihen filmat e krijuesve deri në moshën 16 vjeçe, ndërkaq në kategorinë B janë filmat e regjisorëve deri në moshën 25 vjeçe.
Në njoftim thuhet se në mesin e konkurruesve në kategorinë deri në moshën 25 vjeçe ishte edhe filmi “Ninullë” i Adrian Asllanit.
Gjatë ndarjes së çmimeve, anëtari i jurisë Aaron Asteria, deklaroi: “Filmi ‘Ninullë’ ka ngjallur një debat të madh brenda jurisë, sepse është një film që ngërthen në vete pikëpamje nga balada e Goethes “Der Erlkönig” e deri te qasja e Frojdit për raportet prindër/fëmijë. Pas diskutimeve të shumta, juria, pa hezituar fare, vlerësoi se ky është filmi më i mirë».
Vlen të përmendet se për filmin “Ninullë” ky është çmimi i pestë që e merr nga shtatë festivale ku është shfaqur deri tani.