Mbiemri Schumecher do të rikthehet në garat e Formulës 1 sezonin e ardhshëm, pasi këtë herë do të jetë Mick Schumacher, djali i legjendarit Michael Schumacher, që do të garojë me makinën Haas.
Zyrtarizimi erdhi mëngjesin e sotëm nga vetë skuadra amerikane, që njoftoi se në sezonin e ardhshëm do të përfaqësohet nga Mick Schumacher, kampion në fuqi i Formulës 2 dhe rusi Mazepin.
Mick Schumacher është pjesë e Ferrari Driving Academy dhe ka spikatur me performancat e tij në pistë, duke bindur zyrtarët e skuadrës amerikane, ndërsa debutimi në makinën Haas është parashikuar që në provat e lira të Abu Dhabi-t, në garën e fundit të këtij sezoni.
Hera e fundit që Michael Schumacher garonte në pistën e Formulës 1 ishte në 2012-ën, ndërsa tani thuajse 9 vite më vonë, do të jeta radha e djalit të tij 22-vjeçar që të provojë të regjistrojë të njëjtat suksese në sportin më të ndjekur të automobilizmit.
“Falënderoj Ferrarin që ka pasur gjithmonë besim në aftësitë e mia dhe më ka mbështetur e krijuar kushtet që të shprehem më së miri në pistë. Kam qenë gjithmonë i bindur që një ditë do të garoj në Formula 1 dhe jam shumë i lumtur që bëj ëndrrën realitet”, tha Mick Schumacher.
Edhe drejtuesi i skuadrës Ferrari, Mattia Binotto nuk e fshehu kënaqësinë që tashmë gjermani do të garojë zyrtarisht në Formulën 1 dhe theksoi se te Haas, 22-vjeçari do të ketë mundësinë të rritet gradualisht me shpresën që një ditë të drejtojë “kokëkuqen” italiane.
“Jam shumë i lumtur të njoftoj se Mick Schumacher do të debutojë sezonin e ardhshëm në Formula 1, duke drejtuar një makinë të një skuadre në partneritet të fortë me Ferrarin. Te skuadra amerikane Mick do të ketë mundësinë të rritet pa presion dhe i mbështetur vazhdimisht nga Ferrari Driver Academy.