Testet zyrtare me makinat e këtij sezoni do të zhvillohen në mesin e marsit, në Bahrein. Gjithsesi, Ferrari ka vendosur të zbresë në pistë pilotët e saj, për të hequr sadopak “ndryshkun” e pushimeve të gjata dimërore.
Për këtë arsye, në pistën e Fiorano, “kokëkuqja” do të zhvillojë deri ditën e premte disa teste me pilotët e saj. Ata do të përdorin, sipas rregullores, një makinë të 3 viteve të fundit. Pra, të vitit 2018.
I pari që ka zbritur në pistë ishte Charles Leclerc, që përshkoi 113 xhiro.
Më pas do të jetë radhazi e Carlos Sainz. Në këto teste do të zbresë në pistë edhe Mick Schumacher, që këtë vit do të debutojë me Haas në Formula 1.