Piloti spanjoll është djali i 2 herë kampionit të botës në rally

Formula 1

Piloti spanjoll është djali i 2 herë kampionit të botës në rally

Më: 28 janar 2021 Në ora: 16:56
Piloti spanjoll është djali i 2 herë kampionit të botës në rally

Piloti i ri i Ferrarit, Carlos Sainz Jr., e konsideron si të paharrueshme eksperiencën e tij të parë me makinën e kuqe. 26-vjeçari spanjoll zuri pa humbur kohë vendin e 4 herë kampionit të botës, Sebastian Vettel, të skuderia e famshme nga Maranello, dhe piloti madrilen deklaroi se do ta kujtojë gjithmonë eksperiencën e tij të parë me makinën Ferrari.

Piloti spanjoll është djali i 2 herë kampionit të botës në rally, Carlos Sainz, dhe ish-piloti i ekipit McLaren e ka konsideruar si një moment vërtet të paharrueshëm çastin kur preku për herë të parë timonin e njëvendëshes së famshme italiane, për të testuar makinën e tij të ardhshme.

Pas dy sezoneve te McLareni Carlos Sainz Jr u largua nga ekipi me bazë në Woking, për të kaluar pikërisht në radhët e Ferrarit, duke zënë në këtë mënyrë vendin e 33-vjeçarit të mirënjohur gjerman Sebastian Vettel dhe pa humbur kohë piloti iberik provoi një makinë Ferrari në pistën e Fioranos.

Pista e Fioranos ndodhet shumë pranë Qytetit të Maranellos, në Fiorano Modenese, në Rajonin e Emilia Romagnas dhe Carlos Sainz Jr drejtoi një nga makinat me të cilën ka garuar në Formula 1 skuadra italiane në kampionatin botëror të vitit 2018, për shkak të rregullave të forta që kanë përcaktuar drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, të cilët tani nuk e lejojnë më shfrytëzimin e testeve të lira, me qëllim zhvillimin apo dhe përmirësimin e makinës.

Në këtë mënyrë, Carlos Sainz Jr., ngau një Ferrari SF71H, me të cilën kreu plot 100 xhiro në cirkuitin e Fioranos dhe 26-vjeçari mbeti vërtet shumë i kënaqur nga kjo eksperiencë apo dhe mënyrën se si shkoi kjo ditë tepër e veçantë për të.

Në mënyrë të kuptueshme ky test shërbeu më shumë për të përshtatur spanjollin me njëvendëshen italiane, duke i dhënë kështu pilotit madrilen mundësinë që të familjarizohet dhe të kuptojë më mirë se si funksionon në të vërtetë një Ferrari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat