Sezoni 2020 në Formula 1 nisi disa muaj me vonesë për shkak të pandemisë. Pilotët u detyruan të qëndrojnë të bllokuar në shtëpitë e tyre për 3-4 muaj. Gjatë kësaj periudhe (mars-korrik 2020), 4 herë kampioni i botës në Formula 1, piloti gjerman Sebastian Vettel, zbuloi dashurinë për natyrën.
Një pasion që e çoi Vettel të bëhej praktikant në një fermë bujqësore në Zvicër ku dhe jeton. Piloti i Aston Martin, që vjet garonte me Ferrarin, shpjegoi ndryshimin që ai pësoi gjatë karantinës, ku e gjithë Europa u ndal. “Gjatë mbylljes së parë bëra praktikantin në një fermë bujqësore bilogjike”, tha Vettel.
“Bëra stazhin. Nje ide që e kisha duke parë atë që ndodhte në fshat. Pyesja veten se çfarë duhet të haja për të jetuar në një mënyrë më të shëndetshme. Ndaj, gjeta mundësinë të bëja diçka inteligjente. Mendoj se tema e bujqësisë dhe e mbajtjes së një ferme më ka entuziazmuar shumë”, tha 4 herë kampioni i botës.
“Ishte një aventurë e bukur, morën pjesë edhe vajzat e mia. Mendoj se aty zbulova pasionin për bujqësinë dhe se mund të bëhem një bujk i mirë. E pashë veten me lopatë në dorë duke punuar tokën”, tha Vettel.