Marc Marquez është gati të rikthehet në pistë. 6 herë kampioni i botës në MotoGP, dëmtoi krahun e djathtë në garën e parë të sezonit të kaluar, duke humbur gjithë sezonin.
Tre operacione kreu piloti i Hondas, i cili ka marrë ditën e djeshme lajmin e mirë.
Rikuperimi ka shkuar mirë, diçka që është konfirmuar në kontrollin e fundit me mjekët.
Këta të fundit i kanë dhënë dritën jeshile për t’u rikthyer për garën e 18 prillit në Portimao.
28-vjeçari ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku shfaqet më i lumtur se kurrë.
“Jam shumë i lumtur. Dje bërë një vizitë dhe mjekët më dhanë leje për t’u rikthyer në pistë. Kanë qenë 9 muaj të vështirë, me shumë momente pasigurie dhe ulje-ngritje. Tani mund të shijoj sërish pasioni tim. Shihemi javën tjetër në Portimao“, shkruan kampioni iberik i garave të shpejtësisë.