Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK), sot e ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS).
Ministri Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani kanë pasur takime me zyrtarë të federatave të ndryshme, në mesin e të cilave edhe përfaqësuesit e FASK-ut.
Kryetari Nehat Çitaku është ndarë i kënaqur me frymën e takimit, pavarësisht se shuma që do të marrë FASK-u është rreth 35 për qind më e vogël se ajo e vitit të kaluar.
“Fatkeqësisht Federata jonë nga memorandumi i bashkëpunimit do t’i marrë vetëm 27.832 euro. Në krahasim me vitin e kaluar, shuma është dukshëm më e vogël, por kjo ka ndodhur për shkak të uljes së vlerës se pikëve”, ka thënë Çitaku.
“Qasja e ministrit Çeku dhe zëvendësministres Osmani ishte shumë realiste”, ka theksuar numri një i FASK-ut.
Ai ka shtuar se së shpejti pritet të ketë edhe një takim të krerëve të FASK-ut me ata të MKRS-së.
“Kemi marrë premtim se gjatë majit do të kemi një takim të veçantë, në të cilin do t’i shpalosim të gjitha synimet, brengat, problemet e detyrat tona.
Do të flasim për aktivitete, për infrastrukturë e me theks të veçantë edhe për pistën, e cila është jetike për auto sportin”, ka shtuar Çitaku.
Në fund ai ka bërë të ditur se në MKRS janë shprehur se financimi i FASK-ut dhe federatave tjera nuk do të jetë vetëm përmes memorandumeve, por do të shqyrtohen edhe mundësi tjera.