Në betejën mes Lewis Hamilton dhe Max Verstappen, mes Mercedes dhe Red Bull, mund të hyjë edhe Ferrari.
Të paktën në garën e Montekarlo, që zhvillohet ditën e diel. I këtij mendimi është piloti britanik, 7 herë kampioni i botës në Formula 1.
Sipas tij, rezultati i provave të lira të ditës së enjte, me dy makinat “kokëkuqe” në dy vendet e para, konfirmon këtë gjë: “Ferrari ishte vërtet e shpejtë. Është e habitshme se si janë përmirësuar kaq shumë, por është fantastike. Do të thotë më shumë konkurrencë. Në Montekarlo do të jetë rivale për podiumin apo për fitore”.
“Në garën e Montekarlo, ku parakalimet janë të limituara dhe ky aksidentet mund të vendosin rezultatin e garës, gjithçka mund të ndodhë. Nëse Ferrari është kaq e shpejtë edhe në provat zyrtare, mund të na vërë në vështirësi dhe të diktojë ritmin e garës. Natyrisht që kjo vlen edhe për Red Bull”, tha Lewis Hamilton.