Të dielën, në Prizren, konkretisht te Transiti i Ri (afër fabrikës “Liri”), mbahet gara e parë në disiplinën e auto sllallomit për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm, në konkurrencën e femrave dhe të meshkujve.
Gara organizohet nga SHAM AK Prizreni në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK).
Paraqitja në garë do të bëhet në intervalin kohor 09:00 – 10:30, ndërsa prej 09:00 – 11:00 bëhet edhe kontrolli teknik i veturave si dhe verifikimi i dokumentacionit.
Në orën 11:30 mbahet takimi i parë i Komisionit Sportiv, derisa 10 minuta më vonë publikohet lista startuese. Pas brifingut me garues (11:45), në orën 12:00 nisin vozitjet testuese e pas përfundimit të tyre edhe ato zyrtare.
Veç skuadrës organizative e përbërë nga zyrtarë të FASK-ut, në garë do të asistojnë edhe Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve, Ndihma e Shpejtë dhe Merimanga e SHAM AK Prizreni D&G.
Interesimi për garë është mjaft i madh në të dyja konkurrencat dhe me të drejtë pritet që e diela në Prizren të jetë festë automobilistike.