Automobilizmi është prej sporteve më atraktive në Kosovë, por edhe më madhështore e bënë pjesëmarrja e grave dhe vajzave, që po tregojnë shkathtësitë e tyre, duke i sfiduar fuqishëm edhe meshkujt.
Sot u zhvillua gara në disiplinën malore për Kampionatin e Kosovës në automobilizëm në Grashticë.
Arjeta Rysha, anëtare e klubit Ferizaj, nënë e 4 fëmijëve garoi në gara malore me meshkuj, duke arritur në vend të dytë, padyshim është rezultat spektakolar.

Arjeta Rysha tha se ishte një garë e fortë, gjithsesi edhe emocionale.
“Sa i përket garës së sotme në Grashticë, është një vlerësim i madh kur një nënë e 4 fëmijëve garon në gara malore me meshkuj.
Edhe pse koha ishte me shi dhe pista ishte mjaft e rrëshqitshme (rrezikshme) për fat të mirë arrita mirë deri tek caku (finish), me kohe 2.21 sec.
Presim rezultat më të mirë në garën e ardhshme që do të mbahet me 25-27 qershor në Kulla Cez”, tha Arjeta. Menaxheri dhe bashkëshorti i Arjetës, Sadati, ka fjalë miradije, duke thënë se rezultati është shumë i mirë.

“Unë si burri i Arjetës këtë rezultat e shoh si shumë të mirë dhe të suksesshëm, pasi që edhe kjo garë ishte shumë e vështirë dhe me reshje shiu, gjë që ishte me rrezik të madh por Arjeta ka guxim dhe ja doli”, thotë Sadat Rysha.