Sezoni 2021 nuk ka qenë shumë pozitiv për pilotin italian të KTM në MotoGP, Danilo Petrucci.
Në garën e fundit ai ishte protagonist i një rrëzimi që në xhiron e parë, kur pas disa kthesash motori i tij doli jashtë piste bashkë me atë të Alex Marquez.
Petrucci, 23 pikë këtë sezon, duke komentuar këtë situatë bën një rrëfim tronditës: “Kur më nxorën jashtë piste isha i pafat.
Gjithsesi, jam me fat që e kam ende krahun, pasi motori i Alex më hypi sipër krahut të djathtë gjatë rrëzimit dhe daljes nga pista”.
Piloti italian shprehet se ka patur dhimbje pas garës si pasojë e rrëzimit dhe faktit se pesha e motorit të rivalit ishte mbi krahun e tij.
“Tani jam më mirë, nuk kam më dhimbje dhe do të jem normalisht në pistë në garën e radhës”, tha Petrucci.