Zhgënjimi i 4 ditëve më parë në garën e Çmimit të Madh të Francës në Formula 1 për makinën Ferrari ka futur në panik drejtuesit e “kokëkuqes”. Ata kanë frikë se mos e njëjta situatë mos përsëritet edhe në dy garat e radhës në Austri.
Në Francë u verifikua një konsumim shumë i madh i gomave nga makina italiane, që nuk arriti të grumbullojë asnjë pikë me të dy pilotët e saj (Sainz i 11-ti dhe Leclerc i 16-ti).
“Kjo është një çështje që duhet zgjidhur, por mund të kërkojë kohë e disa modifikime. Për ne e rëndësishme është të kuptpojmë se si ta zgjidhim këtë problem, që të mos shfaqet vitin tjetër”, tha Mattia Binotto.
Më tej, drejtori sportiv i “kokëkuqes”, shtoi: “Ky problem mund të reflektohet edhe në disa gara të tjera të këtij sezoni, por jo në çdo pistë. Kjo është e lidhur edhe me kushtet meteorologjike. Duhet të përgatitemi për të gjetur zgjidhje alternative”.