Për dashamirët e automobilizmit, me theks të veçantë për ata të disiplinës malore, kjo fundjavë padyshim që do të jetë e veçantë, pasi në radhë është gara në Brezovicë, e katërta me radhë për kampionatin e sivjetmë.
Interesimi për pjesëmarrje, e po ashtu edhe i adhuruesve të këtij sporti atraktiv është i dukshëm, prandaj me të drejtë pritet që gara të jetë interesante dhe me rivalitet të madh.
Të shtunën, duke filluar në orën 09:00 – 10:30 bëhet paraqitja në garë për të vazhduar më pas me kontrollimin teknik, verifikimin e dokumentacionit e takimin e Komisionit Sportiv.
Vozitja e parë testuese fillon në orën 12:00, ndërsa 15 minuta pas përfundimit të saj, nis vozitja e dytë.
Të dielën, pas procedurave të zakonshme, të cilat fillojnë në orën 09:30, në orën 11:00 mbyllet shtegu për veturat civile, ndërsa vozitja zyrtare fillon në orën 12:00.
Duke marrë parasysh se gjatësia e shtegut është 7.7 kilometra, atëherë gara ka vetëm një vozitje.
AK Ferizaj në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës i kanë marrë të gjitha masat që gara të ketë rrjedhë sa më të mirë, ndërsa kërkohet mirëkuptim nga kalimtarët e rastit për shkak se rruga për veturat civile do të jetë e mbyllur gjatë kohës sa zhvillohet gara, por që organizatorët do të bëjnë përpjekje që pritjet e tyre të jenë sa më të shkurtra.