George Russell do të jetë piloti i ri i Mercedes për sezonin 2022 të Formula 1.
Skuadra gjermane ka zyrtarizuar sot emrin e pilotit të ri britanik, që aktualisht garon me Williams.
23-vjeçari do të zërë vendin e lënë bosh nga Valtteri Bottas (shkoi te alfa Romeo) dhe do të ketë si shok skuadre 7 herë kampionin e botës, britanikun tjetër Lewis Hamilton.
Asnjë surprizë në këtë emërim, me Russell që ishte kandidati kryesor. Ai pilotoi vjet makinën Mercedes, në garën e Sakhir, kur zuri vendin e Hamilton, i infektuar me Covid-19.
Russell ka një podium në Formula 1, atë të garës në pistën belge të SPA, 10 ditë më parë. Për të vjen rasti i madh të tregojë aftësitë e tij me një makinë kampione.