Pas pjesëmarrjes në Kampionatin e Kosovës në automobilizëm, Arjeta Rysha e Mimoza Jetullahu janë të gatshme për një sfidë tjetër, madje edhe më serioze.
Dy garueset tona do të marrin pjesë në garën e madhe ndërkombëtare, FIA Hill Climb Masters, që do të mbahet prej 8 – 10 tetor në Braga të Portugalisë.
Arjeta shprehet optimiste për paraqitje sa më të mirë.
“Bëhet fjalë për garën e nivelit më të lartë botëror në disiplinën malore, garë e organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), e cila tradicionalisht mbahet në çdo dy vite”, shprehet Arjeta, duke shtuar se është duke u përgatitur me veturën e saj, ndërkohë që është duke i kryer edhe procedurat e fundit sa i përket dokumentacionit.
Natyrisht, ajo është e vetëdijshme edhe për rrezikun e pjesëmarrjes në këtë garë kaq prestigjioze.
“Secila garë dhe secila pistë i ka rreziqet e saj. Duhet përqendrim më i madh, disiplinë dhe teknikë. Është një garë me shumë emocion, por edhe privilegj për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës”, ka thënë Arjeta Rysha, duke mos fshehur shpresën që garuesit tanë të kthehen me rezultate të mira nga Portugalia.
E privilegjuar ndihet edhe garuesja tjetër, Mimoza Jetullahu.
“Ndihem shumë e privilegjuar që jam përzgjedhur në edicionin e katërt me radhë të Fia Hill Climb Masters, e cila do të mbahet në Braga të Portugalisë”, është shprehur Mimoza.
“Përfaqësueses së Kosovës kësaj radhe i bashkohen edhe garueset femrat, Arjeta Rysha dhe unë, e kjo po ndodh për herë të parë në histori të Kosovës” thotë Mimoza Jetullahu, duke theksuar se e ka të qartë se bëhet fjalë për një garë shumë të fortë.
“E di se na pret një konkurrencë shumë e fortë, por do të jap maksimumin tim për një paraqitje sa më dinjitoze. Tashmë jemi në përgatitje e sipër të makinave dhe dokumenteve për viza.
Ne po nisemi si një familje e madhe dhe uroj të arrijmë suksese e të kthehemi shëndosh e mirë në Kosovë”, ka thënë Arjeta në fund.
Veç saj e Arjetës, Kosova në Braga do të përfaqësohet edhe nga Liridon Kalenderi, Gazmend Demolli, Valon Jaha, Faton Rama, Bardhyl Canolli e Selim Tahirsylaj.