Të dielën që u lamë pas në Sllatinë u zhvillua Kampionati i Kosovës në disiplinën e auto sllallomit.
Garë me rivalitet në automobilizëm qoftë te femrat qoftë te meshkujt.
Arjeta Rysha tregoi formë të lartë, duke triumfuar në garën e katërt të Kampionatit të Kosovës.

Ajo përveç këtij suksesi, arriti në vendin e tretë në garën e tretë të kampionatit.
Arjeta tha se ndihet e lumtur për suksesin në kampionat.
“Garat e mbajtura në Sllatinë ishin gara e 3 dhe 4 e Kampionatit të Kosovës, që unë e vlerësoj shumë organizimin dhe gjithë rrjedhën e garës.
Sukses nuk munda te arrij në garën e parë (e treta e Kampionatit të Kosovës) pasi që nuk mund të ambientohesha mirë me veturën, mirëpo u rendita e 3-ta në plasmanin e përgjithshëm dhe e para në kategorinë time (klasa 4), kurse në garën e dytë (e 4-ta dhe e fundit e Kampionatit) unë arrita të renditem e para në plasmanin e përgjithshëm”, thotë Arjeta për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Garuesja nga Ferizaj iu është falënderues familjes dhe bashkëshortit, Sadati, për përkrahje të madhe.
“Ndihem e lumtur me rezultatet e arritura duke mos harruar t’i falënderoj familjen time për përkrahjen e vazhdueshme e veçanërisht bashkëshortin Sadatin që me jep gjithmonë motiv dhe kurajo”, nënvizon Arjeta.

Me Kampionatin e Kosovës në Sllatinë marrin fund garat për edicionin e sivjetshëm në vendin tonë.
“Garat për këtë vit kanë përfunduar dhe jam e kënaqur me rezultatet e mija si në disiplinën sllallom por më shumë në atë malore.
Vitin e ardhshëm do të jem edhe më e përgatitur dhe jam optimiste për rezultate më të mira”, përfundon Arjeta.