Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, triumfoi sot në mbrëmje në garën e Çmimit të Madh të Meksikës në Formula 1, duke thelluar në 19 pikë diferencën me rivalin e tij kryesor për titull, Lewis Hamilton (Mercedes), që u klasifikua i dyti.
Në podium u ngjit edhe meksikani Sergio Perez me makinën tjetër Red Bull, që tentoi deri në fund të partakalojë rivalin britanik, por pa sukses.
Një garë e dominuar nga makina Red Bull, me Verstappen që u nis i treti, por që në startin e garës arriti të parakalojë dy makinat Mercedes.
Makina gjermane nuk dha atë që pritej, e nisi keq garën me të dy pilotët, madje Bottas pësoi aksident dhe zbriti në vendet e fundit.
Kjo bëri që Verstappen të zhvillojë një garë më vete, duke iu afruar edhe më shumë titullit të parë kampion në Formula 1.