Guanyu Zhou është piloti i parë kinez që do të marrë pjesë në botërorin e Formula 1.
Sezonin e ri do të garojë me skuadrën Alfa Romeo Racing. Ai ka vendosur të mbajë numrin 24, në nder të ish-basketbollistit Kobe Bryant.
22-vjeçari kinez shpjegon zgjedhjen e bërë:
“Bryant është një burim frymëzimi për mua. Ajo që më ka befasuar gjithnjë është etika profesionale që ai kishte. Edhe pse ishte më i miri në NBA ai vazhdonte të punonte për t’u përmirësuar”.
Zhou ka zënë vendin e Antonio Giovinazzi te makina Alfa Romeo, ndërkohë që shok skuadre do të ketë veteranin finlandez Valtteri Bottas.