Që prej fillimit të 2020-ës, para çdo gare të Formulës 1, pilotët përgjunjeshin për të dërguar një mesazh kundër racizmit, megjithatë koha e këtij gjesti ka marrë fund, pasi organizatorët e sportit më të ndjekur të shpejtësisë, kanë vendosur të heqin dorë prej tij.
Lajmin e ka bërë të ditur menaxheri i përgjithshëm i Formulës 1, Stefano Domenicali, i cili deklaroi se ka ardhur koha që të kalohet në aksione të tjera, pasi nuk mund të rrihet gjithnjë duke përsëritur të njëjtin mesazh.
“Mendoj se gjesti ishte i rëndësishëm, pasi ne duhet të respektojmë këto, por tani ka ardhur koha të ndërmarrim aksione të tjera. Tani është koha të ndërmarrim aksione për diversifikimin e komunitetit tonë”, tha Domenicali.
Duke nisur nga gara e parë e sezonit të ri, që starton në muajin mars, pilotët e Formulës 1 do të jenë të lirë të bëjnë çfarë gjesti të duan, por nuk do të jenë të detyruar të bien në gjunjë, si në dy sezonet paraardhëse.