Piloti italian Enea Bastianini me Ducati Gresini Racing fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Katarit në MotoGP, gara e parë sezonale zhvilluar në pistën e Losail.
Ai parakaloi 4 xhiro nga fundit spanjollin e Honda, Pol Espargaro, që udhëhoqi garën në shumicën e kohës, por në fund u klasifikua i treti. Ndërsa në vendin e dytë u rendit afrikano-jugori Brad Binder me KTM.
Një garë mjaft e bukur, e para pa legjendën Valentino Rossi, i tërhequr në fund të sezonit të kaluar.
Bastianini bëri një garë të mirë, duke mos hequr dorë nga fitorja dhe arriti të parakalojë Pol Espargaro në xhirot e fundit. Ky është suksesi i parë për të në MotoGP. I katërti doli Aleix Espargaro me Aprilia, ndërsa i gjashti u klasifikua Marc Marquez me Honda.
Vetëm, i nënti kampioni i botës në fuqi, Fabio Quartararo me Yamaha. Gjashtë pilotë u rrëzuan dhe nuk e përfunduan dot garën, përfshi edhe italianin Francesco Bagnaia me Ducati, kandidat për titull.
Në këtë garë, motorët Ducati u përplasën mes tyre, duke zhgënjyer, ndërkohë që ishin renditur në vendet e para në provat zyrtare.