Rrëzimi i frikshëm që pësoi në Indonezi, bëri që Marc Marquez të humbiste garën pasardhëse, Çmimin e Madh të Argjentinës.
Trauma e pësuar pas përplasjes në asfalt teksa drejtonte me 180 km/h, i riktheu pilotit të Hondës problemin me diplopinë, duke dëmtuar një nerv të syrit, gjë që i shkakton shikim të dyfishtë.
Por pas kontrolleve të vazhdueshme mjekësore, gjendja shëndetësore e tetë herë kampionit të botës ka pasur përmirësim dhe Markezi as që e çon në ndër mend që të dorëzohet, duke mos e ndalur për asnjë moment stërvitjen. Madje, tashmë ka ardhur momenti që të zbresë edhe në pistë.
Spanjolli i Hondës dje është ngjitur në motorin CBR 600 për të bërë disa teste, imazhe të cilat i kanë postuar në rrjetet sociale, si piloti, gjithashtu edhe skuadra. Markez ka në fokus garën e 10 prillit në Teksas, cirkuit ku ka triumfuar gjashtë herë radhazi duke nisur që nga viti 2013 deri në 2018-ën.