Spanjolli Fernando Alonso, dy herë kampion bote në Formula 1, ka thumbuar kolegun e tij të Mercedes, Lewis Hamilton.
Piloti britanik ka dominuar garat në sezonet e fundit, por këtë vit ka mjaft problem me njëvendëshen e tij dhe shpesh garon për të hyrë në zonën e pikëve.
Alonso nuk fshihet kur shprehet se makina ka shumë rëndësi në rezultatet që arrin një pilot në pistë.
“Kjo është Formula 1, gjithnjë ka qenë kështu. Kur Senna fitonte gara e tituj kishte makinën më të shpejtë. Kështu ishte edhe me mua, pasi kisha makinën më të mirë”, tha Alonso.
“Kjo vlen edhe për Lewis, që theu çdo rekord , pasi kishte makinën më të shpejtë. Edhe tani ai po piloton mjaft mirë, por është i 13-ti, pasi këtë makinë ka. Kjo është Formula 1, makina që ti piloton ka mjaft rëndësi. Këtë vit është Ferrari e Red Bull, ne nuk duelojmë dot për fitoren”, tha Alonso.