Një ngjarje e shëmtuar i ka ndodhur pilotit gjerman Sebastian Vettel, 4 herë kampion bote në Formula 1. Ditën e hënë, 24 orë pas garës së Spanjës, piloti i Aston Martin ndodhej në hotel, në Barcelonë. Ai kishte harruar dritaren e makinës së tij të hapur dhe hajdutët kanë përfituar për t’i vjedhur një çantë shpine që kishte me vete.
Në çantë ndodheshin dokumentat personale dhe një AirPod. Pikërisht kufjet e AirPod i dhanë mundësi Sebastian të zbulojë se ku ndodheshin keqbërësit.
Me ndihmën e iPhone, ai arriti të monitorojë vendndodhjen e tyre duke përdorur Gps. Më pas, Vettel nisi t’i ndjekë hajdutët, duke përdorur monopatinën e tij elektrike.
Ai i ndoqi deri në zonën e El Raval të Barcelonës, ku piloti gjerman gjeti vetëm një pjesë të sendeve të vjedhura. Nuk gjeti çantën me dokumente, por vetëm kufjet e hedhura nga hajdutët, që duket se kuptuan se mund t’i gjenin përmes tyre. Piloti ka denoncuar ngjarjen me shpresën ëq të gjejë dokumentet dhe të niset për Montekarlo.