Pas Çmimit të Madh të Spanjës në pistën e Katalonjës në fundjavën e kaluar, tashmë Formula 1 është zhvendosur në Principatë për Çmimin e Madh të Monakos. Ditën e sotme u zhvilluan dy sesionet e provave të lira të cilat u dominuan nga Charles Leclerc i Ferrarit.
Piloti që garon në pistën e shtëpisë së tij, ia doli të regjistronte një kohë shumë më të mirë se ajo e rivalit të tij më të madh në këtë sezon, Max Verstappen. Kampioni holandez ishte thuajse gjysmë sekonda pas Leclerc dhe provat e lira i mbylli në vendin e katërt. Sakaq, Ferrari konfirmoi formën edhe me Carlos Sainz i cili i mbylli provat në vendin e dytë duke lënë pas Sergio Perez.
Nga ana tjetër, Lando Norris me Mclaren ishte autor i një paraqitje pozitive duke u renditur në vendin e pestë, ndërsa pas tij e mbylli një tjetër britanik, George Russell. Sakaq, zhgënjeu Hamilton që regjistroi vetëm kohën e 12-të më të mirë dhe që në provat zyrtare duhet të ndryshojë tërësisht sjellje në pistë.
Kujtojmë se provat zyrtare në pistën e Monakos marrin një rëndësi të veçantë pasi gara zhvillohet në rrugët e ngushta të qytetit dhe parakalimet janë thuajse të pamundura.
Sa i takon klasifikimit të pilotëve, renditja udhëhiqet nga Max Verstappen i cili ka një avantazh prej katër pikësh ndaj Charles Leclerc, ndërsa edhe Red Bull është në krye sa i takon kampionatit të konstruktorëve duke lënë pas Ferrarin.