Ashtu sikurse ishte deklaruar më herët, sot është bërë zyrtarisht tërheqja e numrit 46 nga garat e MotoGP. Ky është numri që ka patur legjenda e garave të motociklizmit, piloti italian Valentino Rossi, i tërhequr nga garat në fund të sezonit të kaluar.
Ceremonia u zhvillua në pistën e Mugello (Itali), në shtëpinë e Valentino Rossi, përballë tifozëve të tij. 9 herë kampioni i botës në garat e motociklizmit do ta mbajë gjithnjë vete numrin 46, numër që tashmë është kthyer në një simbol në këtë sport, shkruan Telesporti.
Ishte presidenti i Dorna (kompania që drejton garat e MotoGP), Carmine Ezpeleta, ai që ka dorëzuar te Rossi targetën me nr.46. “Faleminderit për këtë nderim dhe për mbështetjen e madhe që keni patur për mua përgjatë gjithë karrierës. Mugello ka qenë gjithnjë entuziaste për mua”, tha Rossi.
“Mund të garoja edhe për 3-4 vite të tjera, por gjunjtë dhe shpina nuk më lejonin. Kuptova se jam i vjetër për këtë sport, por për aq kohë sa zgjati ka qenë e jashtëzakonshme”, tha Rossi.