Red Bull përmbylli një tjetër fundjavë pozitive teksa në Çmimin e Madh të Montecarlos ngjiti në podium dy pilotët e saj Max Verstappen dhe Sergio Perez, me këtë të fundit që fitoi garën ndërsa holandezi u rendit në vendin e tretë.
Por, vendi i tretë duket se nuk ka lënë të kënaqur babain e Verstappen teksa Jos Verstappen ka theksuar së fundmi se skuderia krijoi një strategji për të ndihmuar Perez dhe jo djalin e tij që është edhe lider i botërorit aktual.
“Vendi i tretë është shumë zhgënjyes dhe do të doja që skuderia të kishte një tjetër trajtim për liderin e botërorit. Verstappen nuk u ndihmua nga strategjia, gjithçka u bë në favor të Perez dhe jam i zhgënjyer pasi do të doja një trajtim ndryshe.
Ishte një fundjavë e vështirë për Max, Red Bull mori një rezultat pozitiv, por nuk bëri maksimumin për të nxjerrë në vend të parë pilotin e saj të parë. Vendi i tretë është fryt i një gabimi të Ferrarit me Leclerc, megjithatë jam i lumtur për Perez pasi të fitosh në Monaco është diçka speciale”, u shpreh Jos Verstappen.
Duket se në këtë sezon atmosfera te bokset e Red Bull nuk është nga më të mirat pasi edhe në pistën e Katalunjës, Perez nuk ishte i lumtur për urdhrin e skuderisë për t’i hapur rrugë Verstappen i cili më pas e fitoi atë garë.