Ndonëse merkato e pilotëve në Formula 1 është në kulkmin e saj, te Haas kanë vendosur të “ngrijnë” bisedimet me pilotin e ri gjerman Mick Schumacher. Kontrata e tij skadon në fund të këtij sezoni dhe ai nuk e ka të sigurt qëndrimin te makina amerikane.
Mick Schumacher shpresonte te kalonte tek Aston Martin, në vendin e Vettel, por kjo mundësi u dogj. Sipas RTL, bisedimet mes Haas dhe Schumacher do të nisin vetëm në garën e Monza (11 shtator), duke lënë në dyshim çdo gjë gjatë muajit gusht në lidhje me të ardhmen e pilotit.
Kjo situatë vë nën presion Mick, që do të garojë në Belgjikë e Holandë me objektivin e zonës së pikëve për të bindur Haas t’i rinovojë kontratën. Alternativa për të ardhmen e Mick, në rast se nuk rinovon kontratën, janë Alfa Romeo e Alpine, por asgjë nuk është e sigurt.
Mick është pjesë e Akademisë Ferrari dhe shpreson në ndihmën që mund t’i japë “kokëkuqja” në zgjidhjen e këtij ngërçi. Garat e para pas pushimeve do të jenë vendimtare për pilotin e ri gjerman, që tashmë gjendet në udhëkryq.